Skip links

Është koha të ndalet monopolizimi në Malësi

Më befasojnë reagimet e disa politikanëve nga Malësia, të cilët patriotizmin e përdorin më shumë si parullë sesa si detyrim ndaj qytetarëve.

Këto ditë po dëgjojmë kërkesa për “të drejta evropiane” të shqiptarëve, prandaj ftoj si nismëtarët, ashtu edhe delegacionin e BE-së, që të shqyrtojmë e sqarojmë cilat janë ato të drejta dhe në ç’mënyrë janë ato “më evropiane” për një komb?

Për këtë arsye, vetëm një kujtesë: vlerat evropiane janë bashkimi, respekti dhe përgjegjësia – jo ndarja e mëtejshme dhe mbyllja në oborret kombëtare.

Të jesh pjesë e një partie qytetare nuk do të thotë të tradhtosh popullin tënd. Përkundrazi – do të thotë të besosh se dinjiteti i shqiptarit, ashtu si i çdo qytetari të Malit të Zi, ruhet më së miri përmes punës, ndershmërisë dhe barazisë para ligjit.

Këto janë vlerat që dua për fëmijët e mi, dhe kjo është e ardhmja që dua për Malësinë.

Patriotizmi nuk është mjet për të fshehur dështimet, por kujdes i përditshëm për komunitetin – për zhvillimin, arsimin, pastërtinë dhe drejtësinë e tij.

Kur ndjenjat kombëtare përdoren për të fshehur papërgjegjshmërinë apo interesat personale, atëherë kjo nuk është më patriotizëm – por abuzim me besimin e qytetarëve.

Malësia ka njerëz të mençur, që prej shekujsh kanë ditur të zgjedhin rrugën e drejtë. Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë gjithmonë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit.

Këta njerëz nuk bien pre e parullave boshe dhe dinë të dallojnë kujdesin e sinqertë nga populizmi politik.

Populli ynë gjithmonë ka ditur masën – patriotizmi nuk bërtitet, ai dëshmohet me vepra dhe me besë.

Është koha të ndalet monopolizimi i Malësisë dhe përdorimi i komunitetit lokal si mjet për vetëpromovim politik.

Secili ka të drejtën e vet për zgjedhje.

Nëse dikush mendon se suksesi në integrimet evropiane qëndron te mbështetja e politikës së një njeriu që:

1. Ka bërë grevë urie para Parlamentit kur Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës,

2. I ka quajtur shqiptarët shërbëtorë të pushtetit,

3. Dhe publikisht ka pranuar se postet ministrore dhe ato të nënkryetarit të qeverisë janë rezultat i marrëveshjes me deputetët serbë – atëherë le të shkojnë deri në fund dhe të ndjekin këshillën e “marrëveshjes historike” të tyre: të heshtin, në vend që të japin leksione për Evropën.

Evropa drejt së cilës synojmë nuk është Evropa e sloganeve, por ajo e përgjegjësisë, solidaritetit dhe përparimit të përbashkët.

Malësia mund dhe duhet të jetë pjesë e një Mali të Zi të tillë – modern, funksional dhe krenar.

Rozalina Lulgjuraj, Partia e Progresit Evropian